Në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” që transmetohet në Report TV, i ftuar për të diskutuar rolin e lëkurës si treguese e shëndetit ishte nutricionisti me banim në Suedi, Altin Joka. Ai shpjegoi se si ky organ, që përfaqëson pjesën më të gjerë të trupit, shërben si një komunikues i vazhdueshëm për mirëqenien tonë të përgjithshme.
Duke nisur diskutimin, Altini theksoi se ai vetë shmang kremrat, pasi beson se ato pengojnë përthithjen efikase të vitaminës D dhe shpesh përmbajnë përqendrime të larta të substancave kimike. Lëkura, si organi më voluminoz, funksionon si mburoja kryesore ndërmjet mjedisit të jashtëm dhe sistemeve të brendshme të trupit.
Për më tepër, ai shtoi se në ekosistemin e lëkurës jeton një mikrobiomë komplekse, e cila përfshin dhjetëra lloje bakteresh, disa prej të cilave mund të jenë të dëmshme.
Ndërsa eksploronin pyetjen se si lëkura bëhet lajmëtare e patologjive të ndryshme, u vu në dukje se në traditën e natyropatisë, sytë, gjuha dhe lëkura – e cila mbulon një sipërfaqe prej rreth 25 metrash katrorë – kanë shërbyer gjithmonë si tregues për përcaktimin e gjendjes shëndetësore.
Sipas nutricionistit, një lëkurë e pastër, pa akne apo shenja, dëshmon për një shëndet të mirë të brendshëm.
“Në aspektin e jashtëm, çdo sëmundje reflektohet në lëkurë, psh ata që kanë probleme me veshkat, kanë një enjtje të syve në mëngjes kur çohen. Çarjet e kapilarëve të lëkurës tregojnë probleme me zemrën. Kur ka probleme me stomakun, shohim disa probleme lëkure rreth veshëve apo tek pjesa e grykës, sikurse kur ka probleme me anenimë lëkura është më e zbehtë, pra të gjitha gjendjet shëndetësore reflektohen në lëkurë” thekson Joka.
Lidhur me fenomenin e rrudhosjes, ai shpjegoi se ky proces përshpejtohet nga ekspozimi i tepërt në diell, përdorimi i produkteve kimike, ilaçet dhe ndotja atmosferike. Përtej faktorëve mjedisorë, stresin kronik ndikon në dëmtimin e lëkurës me 24%, ndërsa rolin e tyre e luajnë gjithashtu ushqimi i papërshtatshëm, mungesa e aktivitetit fizik, hidratimi i pamjaftueshëm, duhani, alkooli, konsumi i kontraceptivëve, antibiotikëve dhe suplementeve, cilësia e gjumit, përdorimi i telefonave dhe gjenetika.
Altini shtoi se lloji i baktereve në lëkurë ndryshon jo vetëm sipas zonës së trupit, por edhe në varësi të gjinisë së individit.
Sa i përket vitaminës D, pavarësisht rënies së vlerave minerale në ushqime, dielli mbetet burimi kryesor, i cili nuk ka ndryshuar në natyrë. Bazuar në të dhënat e Universitetit të Bostonit, nevojiten 3600 njësi në ditë, çka kërkon një qëndrim në diell për më shumë se dy orë. Megjithatë, obeziteti, konsumi i sheqernave dhe pijeve me gaz gjatë ekspozimit e vështirësojnë përthithjen e kësaj vitamine. Joka sugjeroi se marrja e vitaminës F, vajrave bimorë (si ai i ullirit, susamit apo avokados), perimeve, arroreve dhe proteinave shtazore mund ta nxisë këtë proces.
Në fund, ai sqaroi se syzet nuk ndikojnë në përthithjen e vitaminës D, pasi kjo e fundit absorbohet nga lëkura dhe jo nga sytë.