Valë të nxehti në gusht: Meteorologu parashikon temperatura deri në 41 gradë
Sipas ekspertit meteorolog Hakil Osmani, fundjava dhe ditët në vijim do të karakterizohen nga temperatura mjaft të larta.
Sipas parashikimeve të tij, merkuri në termometër pritet të arrijë majat prej 41 gradësh Celsius, ndërsa në pjesën më të madhe të vendit do të mbizotërojë një mot i qëndrueshëm, me shfaqje të herëpashershme të vranësirave në rajone të caktuara.
“Nën ndikimin e masave ajrore të nxehta, kjo e shtunë do të vijojë me temperatura të rritura. Qarqet e Beratit dhe Elbasanit do të shënojnë vlerat më të larta me 41°C, ndërsa Shkodra dhe Gjirokastra pritet të regjistrojnë 40°C, me përjashtim të zonës juglindore që do të mbetet më e freskët”, u shpreh Osmani.
Ditën e diel, zonat e ulëta do të përballen sërish me vlera që do të variojnë nga 40 deri në 41°C, ndonëse mëngjesi do të nisë me temperatura më të ulëta, rreth 18°C. Përgjatë gjithë ditës do të ndihet nxehtësia, ndërsa në zonat lindore mund të ketë reshje sporadike shiu.
Duke analizuar javën e ardhshme, Osmani theksoi se temperaturat do të qëndrojnë të larta, duke osciluar mes 39 dhe 41°C. Edhe pse moti do të jetë kryesisht stabil, nuk përjashtohen shirat lokalë në zona të izoluara, kryesisht gjatë orëve të mesditës. Ky muaj gusht pritet të shënojë temperatura dukshëm mbi mesataret e zakonshme për stinën.
