Po përcillte kushëririn për në banesën e fundit, vidhen paratë në makinën e këngëtarit
Në një moment mjaft të rënduar psikologjik, këngëtari popullor Bledar Hoxhaj është bërë viktimë e një vjedhjeje në qytetin e Fierit. Ngjarja ka ndodhur ndërkohë që ai po merrte pjesë në funeralin e kushëririt të tij të parë, duke e shoqëruar për në vendprehjen e tij të fundit.
Sipas rrëfimit të vetë artistit në rrjetet sociale, ngjarja u shënua rreth orës 10:00. Autori ka depërtuar në mjetin tip Audi Q5 me ngjyrë gri të errët, duke marrë vetëm paratë që ndodheshin në kuletën që këngëtari kishte lënë brenda. Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë kanë regjistruar çdo lëvizje të grabitësit, i cili më pas u largua nga vendngjarja me një makinë tjetër, një Opel me ngjyrë gri të hapur.
Hoxhaj u ka bërë thirrje publike qytetarëve që, nëse kanë njohuri për identifikimin e personit ose të mjetit të përdorur, të lidhen sa më parë me të për të ndihmuar në zbardhjen e këtij incidenti. APEL PËR NDIHMË!
Gjatë ceremonisë mortore të vëllait tim (kushëri i parë), rreth orës 10 e pak minuta, një person është futur në makinën time Audi Q5, ngjyrë gri e errët, dhe ka marrë vetëm paratë që ndodheshin brenda portofolit.
Portofolin e ka lënë në makinë.
Gjithçka është e filmuar nga kamerat e sigurisë, përfshirë momentin kur personi futet në makinë.
Pas kësaj, personi largohet me një makinë Opel, ngjyrë gri e hapur.
Nëse dikush e njeh personin, ka parë makinën ose ka ndonjë informacion që mund të ndihmojë, ju lutem të më kontaktojë.
Pamjet do t’u dorëzohen organeve përkatëse.
Në një ditë zie, kur isha duke përcjellë vëllain tim për në banesën e fundit, është shumë e dhimbshme të ndodhë edhe diçka e tillë.
Ju lutem, shpërndajeni që informacioni të arrijë te personi i duhur.
