Në vijim të ngjarjes fatale në Pogradec,

një dëshmitar nga zona ka rrëfyer rrethanat në të cilat ndërroi jetë Agim Beqiri,

elektricisti që u përball me një shkarkesë vdekjeprurëse në fshatin Zërvaskë.

Sipas dëshmisë së tij, viktima ishte një pjesëtar i vjetër i stafit të Bashkisë së Pogradecit, i angazhuar kryesisht me mirëmbajtjen dhe rregullimin e rrjetit të ndriçimit publik.

Burri në fjalë theksoi se Beqiri njihej për përkushtimin e tij të palodhur, pasi nuk hezitonte të punonte as gjatë ditëve të pushimit për të zgjidhur problemet e komunitetit, duke shtuar se viktima e kishte identifikuar prishjen që mbrëmë dhe ishte rikthyer në terren për ta ndrequr pikërisht ditën e sotme.

“Sot ishte punonjësi i komunës për defektet e linjave të ndriçimit.

Ishte një person që punonte në komunë prej shumë kohësh, ishte një burrë shumë i mirë, i rregullt, i sinqertë, punonte shumë dhe ditët ë pushimit meqë kishte probleme fshati, erdhi e konstatoi mbrëmë defektin dhe erdhi ta bënte sot. Shumë keq më ka ardhur, t’i rrojnë fëmija. Ngushëllime familjes”, rrëfeu ai.

Ndërkohë që autoritetet hetimore po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në këtë aksident fatal gjatë punës në shtyllën elektrike, humbja e Agim Beqirit ka lënë pas një trishtim të thellë.