Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir, të cilët u plagosën gjatë atentatit që tronditi Gjykatën e Apelit në Tiranë,
kanë lënë Spitalin e Traumës vetëm një ditë pas ngjarjes së rëndë. Burime mjekësore konfirmojnë se të dy ndodhen në gjendje të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.
Dëshmia para hetuesve
Pas daljes nga spitali, dy të plagosurit kanë dëshmuar përpara oficerëve të policisë gjyqësore, duke rrëfyer momentet dramatike të ngjarjes që ndodhi brenda sallës së gjyqit.
Ata treguan se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash, menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja lexoi vendimin që ishte në dëm të familjes Shkëmbi.
Sipas dëshmisë së tyre, Elvis Shkëmbi dhe xhaxhai i tij u dukën të irrituar pas vendimit. Në momentin që gjyqtari u ngrit për t’u larguar drejt koridorit, 30-vjeçari Elvis Shkëmbi nxori një armë që mbante nën xhaketë, e mbushi me plumbat që kishte në xhep dhe qëlloi 3–4 herë drejt gjyqtarit, duke e lënë të vdekur në vend.
Detajet nga salla e ngjarjes
Ngjarja ndodhi në sallën numër 3, një nga më të voglat në Gjykatën e Apelit, ku autori ndodhej vetëm pesë hapa larg gjyqtarit. Dëshmitarët thanë se Kalaja u përpoq të mbrohej, por për shkak të hapësirës së ngushtë nuk pati mundësi. Pas të shtënave, Shkëmbi iu afrua viktimës dhe i tha “vetë e kërkove”, ndërsa më pas u kthye drejt të pranishmëve dhe sekretares së gjykatës, por në atë moment nuk kishte më plumba në armë.
Në dëshminë e tyre, Rakip dhe Ervis Kurtaj rrëfyen se pas të shtënave u përpoqën të ndihmonin gjyqtarin, por ai nuk reagonte më. Pak minuta më vonë mbërritën policia dhe ambulanca, ndërsa autori, sipas tyre, doli i qetë nga salla, duke lënë armën te dera.
Paraprakisht të kërcënuar
Dy të plagosurit thanë gjithashtu se familja Shkëmbi i kishte kërcënuar prej vitesh, sidomos për çështjen e pronës që po shqyrtohej në gjykatë.
“Na thoshin shpesh se do na nxirrnin nga shtëpitë tona, madje edhe kur takoheshim rastësisht. Ishin bërë makth për ne,” – kanë dëshmuar ata.
Ngjarja tragjike ka lënë pas një atmosferë tronditjeje të thellë në sistemin e drejtësisë, ndërsa hetimet për motivet dhe përgjegjësitë institucionale vazhdojnë.