Në një bisedë në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, Zebervoki u ndal te largimi i tij nga detyra në Policinë e Shtetit, duke sqaruar se ky akt nuk ka lidhje me asnjë rrethanë politike apo ngjarje aktuale në vend. Vendimi për t’u shkëputur, sipas tij, ishte një zgjedhje krejtësisht personale e motivuar nga dëshira për t’iu përkushtuar më shumë angazhimeve të tjera.
“Unë mora një vendim që nuk kishte të bënte fare me situatën që po ndodh në Shqipëri.
Ishte diçka që lidhej me një zgjedhje timen dhe me dëshirën për t’u fokusuar te projektet e mia”, u shpreh Zebervoki. Pas publikimit të lajmit për lënien e detyrës, ai vuri në dukje se në media qarkulluan shkrime që e etiketuan si “hero i popullit”, një perceptim ky që nuk e bëri të ndihej aspak komod.
“Pasi bëra statusin, më kishin dedikuar tituj, ‘heroi i popullit’ e të tjera.
Kjo nuk më pëlqeu, sepse isha i qartë në statusin tim se pse e mora atë vendim”, deklaroi ai. Përsa i përket arsyeve reale, Zebervoki vendosi t’i mbajë ato larg syrit të publikut, ndërsa theksoi se fokusi i tij i ardhshëm do të jenë nismat artistike.
“Vendimin tim publiku nuk do ta marrë vesh, dua ta mbaj për vete.
Nga unë në vazhdim do të bëj publike vetëm projektet artistike, nuk dua të bëhem pjesë e titujve të tillë”, tha ai.
Ai përfundoi duke shprehur qëndrimin se nuk është bërë pjesë e asnjë interpretimi apo kauze që iu mbivendos largimit të tij nga institucioni policor.