Meteorologia Lajda Porja paralajmëron kulmin e të nxehtit në fundjavë ku termometri do të shënojë deri në 38°C. Pasditet sjellin rrebeshe të izoluara në zonat qendrore
Shqipëria dhe rajoni janë përfshirë zyrtarisht nga një valë e të nxehtit mediteran me origjinë nga Afrika, e cila ka sjellë rritje të ndjeshme të temperaturave në të gjithë kontinentin europian. Sipas meteorologes Lajda Porja, muaji qershor pritet të mbyllet me vlera termike që janë 7 deri në 8 gradë më të larta se mesatarja normale klimatike për këtë periudhë.
Gjatë pjesës së parë të javës, temperaturat maksimale do të luhaten rreth vlerës 36°C, kryesisht në zonat verilindore. Ndërkohë, vala pritet të ashpërsohet në pjesën e dytë të javës, duke filluar nga dita e enjte e në vijim, ku vlerat më të larta do të regjistrohen në zonat juglindore dhe ato qendrore, duke u ngjitur deri në 37°C apo 38°C.
Sipas parashikimeve të prezantuara nga Porja, katër qarqet që do të shënojnë vlerat më ekstreme në vend janë Shkodra, Berati, Elbasani dhe Gjirokastra. Në zonat qendrore, përfshirë Tiranën dhe Elbasanin, temperaturat e larta gjatë pasdites do të shoqërohen edhe me rrebeshe shiu afatshkurtra e të izoluara. Ekspertët apelojnë që gjatë orëve të pikut, nga 10:30 deri në 14:30, qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë të hidratuar.
Situata sinoptike në rajon E njëjta valë e të nxehtit ka përfshirë edhe vendet e rajonit, ku dita e shtunë parashikohet si momenti kulmor i javës. Në Kosovë moti do të jetë kryesisht i qëndrueshëm, me rrebeshe të izoluara dhe temperatura që aktualisht luhaten deri në 34°C për t’u rritur më tej në fundjavë. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, paraditet e nxehta dhe me diell do të pasohen pothuajse çdo pasdite nga stuhi të forta ere, breshër dhe rrebeshe shiu.