Në fshatin Vidhishtë të Roskovecit mbizotëron heshtja dhe zija, pasi dy banorë të zonës humbën jetën në një ngjarje të rëndë të ndodhur një ditë më parë, si pasojë e sulmit me armë zjarri të kryer nga ish-partneri i vajzës së tyre. Ngjarja ka tronditur mbarë komunitetin që po përcjell me dhimbje viktimat.
Arben Plaka gjeti vdekjen në banesën e tij mëngjesin e së premtes, pasi u qëllua për vdekje nga 35-vjeçari Nertil Buzi, ndërsa bashkëshortja e tij, Burbuqe Plaka, e njohur nga të gjithë si Lela, mbeti e plagosur rëndë nga ky sulm. E ndjera, e cila punonte si mësuese, nuk ia doli të mbijetonte pavarësisht përpjekjeve mjekësore.
Pasi luftoi për mbi 12 orë në spital, stafi mjekësor konfirmoi se ajo ndërroi jetë në mbrëmje. Gjatë kësaj ngjarjeje, Nertil Buzi, i identifikuar edhe me emrin Refit Buzi, mbajti peng Rozalindën, ish-partneren e tij, me të cilën kishte pasur një lidhje të vështirë.
Pas ndërhyrjes së policisë, pengu u lirua në orët e pasdites.
Forcat speciale RENEA u angazhuan për orë të tëra në përpjekje për të bindur 35-vjeçarin që të dorëzohej, ndërkohë që ai shfaqej i dëshpëruar, duke qarë dhe duke kërcënuar vazhdimisht se do t’i jepte fund jetës.
Pasi përpjekjet negociuese nuk dhanë rezultat, rreth orës 16:30, Nertil Buzi ndërmori aktin ekstrem duke vrarë veten.
