Tr*gjedi në Pogradec: 37-vjeçarja shtatzënë h*mb jetën, motra akuzon maternitetin për vonesa

TvShow

Janë zbardhur rrethana të reja mbi vdekjen fatale të 37-vjeçares shtatzënë në Pogradec. Marjana Karolina Bunaj ndërroi jetë gjatë udhëtimit drejt kryeqytetit, ku po dërgohej për të marrë përkujdesje më të specializuar shëndetësore.

Të afërmit e së ndjerës shprehin rezerva të forta mbi mënyrën si u menaxhua rasti nga stafi i maternitetit lokal dhe kërkojnë një hetim të detajuar.

Albina Mekolli, motra e viktimës, që qëndroi pranë saj gjatë gjithë përballjes me këtë situatë, përshkroi përmes lotësh për gazetarin Osman Stafa kalvarin e vuajtjeve para ndarjes nga jeta.

Ngjarja filloi të përshkallëzohej në orët e mesditës, kur 37-vjeçarja e thirri atë për shkak të dhimbjeve të padurueshme në bark.

“Në orën 12 më merr në telefon dhe më tha: Eja se kam dhimbje të forta barku.

Shkova shumë shpejt sepse jemi afër. E çova në maternitet sepse ishte shtatzënë. Mjekja roje i bëri një vizitë, një eko dhe tha se ka një gjakderdhje të brendshme”, rrëfeu Albina. Pas vlerësimit të gjendjes së rënduar, stafi mjekësor urdhëroi dërgimin e menjëhershëm të pacientes në Tiranë, ndërsa sipas motrës u përfol edhe opsioni i transportit me helikopter, i cili nuk u realizua.

“Dëgjova që po thonin helikopterin, por u shprehën se nuk vjen dot sepse është natë”, tregoi ajo.

Më tej, ajo dëshmon se Marjana u sistemua në reanimacion, ndërkohë që familjarët ngrenë pretendime për zvarritje të pajustifikuara përpara se ambulanca të nisej drejt Tiranës.

“Mjekja foli me dikë dhe erdhën mjekët e reanimacionit, e dërguan atje dhe pati vonesa.

Me ambulancë e nisën pas orës 4 të mëngjesit. Në Pogradec nuk iu bë asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Në tre orë i vunë vigonë për serume dhe gjak”, deklaroi Albina. Në vlerësimin e saj, një ndërhyrje kirurgjikale më e hershme apo një organizim më efikas i transportit mund të kishte rezultuar vendimtar për shpëtimin e së motrës.

“Nëse do të ishim nisur pak më parë, do të më kishte shpëtuar motra të paktën, sepse mbase fëmija nuk do të kishte shpëtuar.

Mbase nëse arrinim më herët në Tiranë do të shpëtonte”, tha ajo.

Të afërmit kërkojnë me ngulm zbardhjen e plotë të ndodhisë, për të kuptuar nëse vonesat procedurale kanë kontribuar në fatalitet.

“Kërkoj drejtësi, të zbardhet e vërteta, a ndërroi jetë nga pakujdesia apo jo. Unë besoj që nëse do të kishte më shumë shpejtësi, sot do të ishte mes nesh”, u shpreh motra e Marjana Karolina Bunajt.

Bashkëshorti i 37-vjeçares, sipas familjarëve, kishte udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara vetëm 72 orë përpara tragjedisë, me shpresën e bashkimit familjar, ndërsa fëmija që ajo mbante në bark ishte i pari për çiftin.

Lajmet e fundit