Vajza e çiftit Pandeli dhe Marjola Nakoleci ka folur për herë të parë publikisht në mediat greke, për ngjarjen e rëndë në familjen e saj, ku babai i vrau brutalisht nënën.
Në një rrëfim prekës për televizionin grek MEGA, ajo deklaron se fajtorë janë të dy prindërit e saj, duke theksuar se “na lanë rrugëve dhe nuk menduan fare për ne”.
“Të dy janë fajtorë për mua. Na lanë në mes të rrugës, nuk menduan për ne. Mami kishte një lidhje tjetër, babi xhelozoi dhe filloi sherri. Ai njeri na hyri në mes dhe na prishi gjithë familjen”, tha Anastasia.
Anastasia shprehet se edhe pse babai e donte shumë mamanë, nuk kishte të drejtë të merrte jetën e saj.
“Ai e donte shumë mamanë. Për këtë xhelozoi dhe e bëri. Bënin pushime bashkë, shkonin për blerje. Edhe ajo e donte. Por bëri një gabim të madh. Dhe babi nuk kishte të drejtë ta vriste”.
Ajo kujton se i kishte kërkuar të dyve të mos ndaheshin.
“I thosha: ‘Mos u grindni, dua të rrini bashkë, të shihni fëmijët tuaj’. Nuk e imagjinoja kurrë se do ndodhte kjo. Vetëm dy ditë pasi ishim kthyer nga pushimet, ndodhi gjithçka”.
“Më mori vëllai në telefon dhe më tha ‘eja shpejt’. Kur shkova, pashë gjithçka. Më tha: ‘Babi vrau mamin’. Këto zëra i kam ende të regjistruar në celularin tim”.
Pas krimit, babai ishte fshehur për disa orë dhe sipas vajzës, i kishte telefonuar asaj.
“Më tha: ‘Nuk doja ta bëja, nuk ishte qëllimi im’. Ishte e vetmja herë që më telefonoi. Nuk e di nëse dua ta takoj në burg. Dua, por do doja të ishte dhe mami aty…”
“Nuk ishte i dhunshëm, por ishte shumë xheloz. Nuk e ka rrahur kurrë mamanë. Nuk e kam parë kurrë të dhunshëm. Ishte xheloz, dhe e kuptoj pse, por kjo nuk justifikon atë që bëri. Gabuan të dy, duhet të ishin ndarë”, thotë vajza.
Ajo beson se gabimet ishin të ndërsjella, por zgjidhja duhej të kishte qenë ndarja.
“Të dy gabuan. Duhej të flisnin, të ndaheshin më mirë. T’i kishim të dy pranë, edhe pse të ndarë. Por jo të ndodhte kjo. Mami nuk duhej të vdiste. Nuk di ç’të them…”
“Më mungon mami, qaj çdo ditë”
Pas tragjedisë, Anastasia dhe vëllezërit e saj u dërguan fillimisht tek tezja nga nëna, por më pas u zhvendosën tek halla, motra e babait.
“Më mungon mami. Qaj çdo ditë. Shikoj fotot dhe nuk e besoj ende. Jam keq, por po përpiqem të bëhem më mirë. Është shumë e vështirë të jetosh pa mamanë dhe babanë”, rrëfeu mes lotësh 18-vjeçarja.