Në fshatin Vidhisht të Roskovecit u mbajtën të shtunën ceremonitë mortore për lamtumirën e fundit të Belere dhe Kosta Plakut, të cilët mbetën viktima të një sulmi të armatosur të kryer nga Refit Buzi, ish-bashkëshorti i mbesës së tyre, një ditë më parë.
Duke folur për emisionin Review në Euronews Albania me moderatoren Matilda Braho, vëllai i të ndjerit Kosta Plaku ndau detaje mbi dinamikën e ngjarjes dhe hodhi akuza të ashpra ndaj organeve ligjzbatuese për mosveprimin ndaj kërcënimeve të përsëritura.
“Kam qenë në gjumë në shtëpi. Ishte rreth orës 05:20-05:30 kur dëgjova krismat. U zgjova menjëherë, dyshova se kishte ndodhur diçka e rëndë, njoftova Policinë dhe mora makinën për të shkuar atje. Kur mbërrita, ai kishte qëlluar, kishte marrë mbesën dhe ishte larguar. Më pas erdhën ambulanca dhe Policia”, tha ai. Sipas dëshmisë së tij, mosmarrëveshjet me autorin kishin nisur prej më shumë se dymbëdhjetë muajsh, periudhë gjatë së cilës familja kishte depozituar disa denoncime zyrtare.
“Është një histori e gjatë, të paktën prej më shumë se një viti.
Mbesa e kishte denoncuar në Tiranë, sepse i dilte përpara dhe i zinte rrugën. Ajo mori urdhër mbrojtjeje, i cili është ende në fuqi deri në dhjetor. Ne u përpoqëm ta zgjidhnim me mirëkuptim, me shpresën se nuk do të kishte më probleme, por sapo doli, për rreth 40 ditë dërgonte çdo ditë mesazhe kërcënuese në forma të ndryshme”, u shpreh ai. Më pas, ai nënvizoi se pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme, autori nuk ishte mbajtur në paraburgim nga autoritetet gjyqësore.
“Mbesa, bashkë me vëllanë tim, bënë denoncim.
Policia e ndaloi, Prokuroria kërkoi masën e ndalimit, por Gjykata e la në arrest shtëpie. Ditën që doli, pa kaluar as një ose dy orë, kërcënimet vazhduan. I thashë inspektorit se ai po lëvizte lirshëm. Më tha: ‘Mbani kërcënimet dhe bëni ndonjë foto’. I thashë se nuk jam fotoreporter, por hajdeni se do e kap dhe merreni. Më tha se nuk lejohej”, rrëfeu ai. Në lidhje me gjendjen e Rozalidës, ai sqaroi se ende nuk ka pasur mundësi të bisedojë me të.
“Me mbesën, Rozalidën, ende nuk kam folur.
Do të ulem ta dëgjoj, por është e traumatizuar.” Duke përmbyllur rrëfimin e tij, vëllai i viktimës shfaqi indinjatën për dështimin e institucioneve, duke besuar se kjo tragjedi mund të ishte shmangur nëse do të kishte pasur masa parandaluese.
“Ajo që kërkoj unë nuk kthehet më, por institucionet janë të buta, fasadë.
Kishte mbi 40 ditë kërcënime dhe përsëri e nxorën. Kur një person është përsëritës, masat duhet të ashpërsohen, jo ta lëshosh. Kjo tragjedi nuk erdhi vetëm nga veprimet e një njeriu, por edhe nga dështimi për të zbatuar ligjin. Nëse shoqëria nuk reagon dhe ligjet nuk zbatohen, raste të tilla do të përsëriten”, tha ai.
Ai gjithashtu shprehu pakënaqësinë ndaj mënyrës se si disa media kanë përcjellë informacionin për ngjarjen.
“Jam i pakënaqur me disa portale. Nuk i kam lexuar vetë, por më kanë treguar familjarët. Po shkruajnë gjëra që nuk ekzistojnë fare. Informacionet duhet të verifikohen përpara se të publikohen.” Ngjarja fatale shkaktoi vdekjen e menjëhershme të Kosta Plakut, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaku, humbi jetën në spital për shkak të plagëve të rënda.
Pas sulmit, autori mori peng ish-bashkëshorten, e cila u lirua pas ndërhyrjes së Policisë, ndërsa autori më pas i dha fund jetës.