Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë mëngjes në rrjetet sociale ndaj thirrjeve për dorëheqje, duke publikuar një mesazh të gjatë me tone ironike.
Në hyrje të postimit, Rama shkruan se e mirëkupton kërkesën për dorëheqje, ndërsa më pas vijon me një listë zhvillimesh që, sipas tij, kanë shënuar progres gjatë qeverisjes.
“Dorëhiqu për transformimet e zonave urbane dhe rurale. Dorëhiqu për aeroportet! Dorëhiqu për turizmin që shënon shifra rekord! Dorëhiqu për negociatat që u hapen! Dorëhiqu për konferencën e tetë ndërqeveritare”, shkruan ai.
Në vijim, kryeministri përmend ekonominë, rritjen e pagave, protestat paqësore dhe investimet në sektorë të ndryshëm, duke shtuar: “Dorëhiqu për kthimin në shina të ekonomisë! Dorëhiqu që sot keni rritur pagat në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Dorëhiqu sepse sot protestohet paqësisht dhe në dritaren tënde nuk ka snajper! Dorëhiqu për transformimet në arsimin, shëndetësi, infrastrukturë dhe jo vetëm.”
Sipas Ramës, “Realiteti është bezdisës për ata që jetojnë me nostalgjinë e krizës së përhershme”, ndërsa shton se Shqipëria sot gëzon më shumë respekt në arenën ndërkombëtare.

Në përfundim të reagimit të tij, kreu i qeverisë u përgjigjet kërkesave për largim nga detyra me frazën: “Ose mendoje kështu: Dorëhiqu…në 2030! Nuk do të na duhesh atëherë, por do të kujtojmë me siguri.”