Familjarët e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra të hënën brenda Gjykatës së Apelit nga Elvis Shkambi, kanë reaguar të hidhëruar për humbjen e tij.
Gjyqtari i Apelit, babai i tre fëmijëve, u ekzekutua në krye të detyrës si pasojë e një konflikti të vjetër pronësie.
E afërmja e gjyqtarit, Lira Parruca, ka ndarë një postim prekës në Facebook, ku lartësoi figurën e Astrit Kalasë si profesionist dhe si njeri.
“Me zemër të copëtuar shkruaj këto fjalë që nuk do të doja kurrë t’i shkruaja… Sot jemi ndarë në mënyrën më të padrejtë nga kushëriri im i dashur, Titi,” shkroi ajo.
Ajo theksoi cilësitë e gjyqtarit: “Titi ishte shumë më tepër sesa një gjyqtar i ndershëm dhe një profesionist i jashtëzakonshëm. Ai mishëronte mirësinë, fisnikërinë dhe ndershmërinë e rrallë.”
Ajo shtoi se ai ishte një qytetar i denjë i Shkodrës që i dha emër profesionit të tij.
Lira Parruca iu drejtua edhe bashkëshortes së tij, duke i shprehur mbështetjen e plotë:
“Humbja jote është e rëndë, e pabesueshme… Të përqafoj fort ty dhe tre fëmijë e mrekullueshëm që ishin gjithçka për Titin.”
Ky reagim emocional pasqyron dhimbjen e madhe që ka përfshirë familjen.