Bleona Xhaja, vajza 28 vjeçare që u plagos nga bashkëshorti i saj në Pogradec, është dërguar me helikopter ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Ajo ka marrë plagë të rënda nga goditjet me thikë në pjesën e barkut dhe në krah.
Menjëherë pas ndihmës së parë në Pogradec, e reja është nisur drejt kryeqytetit, për mjekim të specializuar.
"Rreth orës 13:30, në lagjen nr. 4, Pogradec, shtetasi Renato Xhaja, 30 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti në banesë ka plagosur me mjet prerës (thikë) bashkëshorten e tij, shtetasen Bleona Xhaja, 28 vjeçe, e cila po merr mjekim në spital", njoftoi Policia.
30-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pogradec dhe nga ana e grupit hetimor po kryhen veprimet procedurale për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe ndalimin e shtetasit Renato Xhaja.
Çifti Xhaja jetonte në Greqi dhe në Pogradec dy të rinjtë kishin ardhur të kalonin kohë me familjarët, gjatë sezonit të verës, ndërsa deri tani nuk dihet arsyeja që e ka çuar Renton dhe Bleonën në konfliktin me thikë.
Sipas mediave lokale në Pogradec, 30 vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, por kjo do të provohet nga grupi hetimor sepse deri tani nuk ka të dhëna.