Po shkojmë drejt fundit të të nxehtit ekstrem? Meteorologia Tanja Porja zbulon datat e ndryshimit të motit

TvShow

Sezoni i verës po kalon fazën e fundit të temperaturave mbytëse. Duke folur për A2 CNN, ekspertja e motit Tanja Porja bëri me dije se gjatë dy ose tri ditëve të ardhshme, vendi do të vijojë të ndiejë ndikimin e të nxehtit ekstrem me nivele pothuajse të njëjta si deri tani.

“Sigurisht që presim rënien të vlerave termike, por kjo është vala e nxehtësisë më intensive dhe presim që ky të jetë dhe kulmi i kësaj vere. Më pas, të gjitha tendencat janë të temperaturave në rënie, si në vlerat e mëngjesit ashtu edhe në të mesditës për ditët vijuese”, tha ajo.

“Fatkeqësisht rënia do të jetë shumë e lehtë dhe shumë graduale dhe presim që pas mesjavës tjetër ta kemi më të ndjeshme rënien e temperaturave. Pas datës 12-13 gusht presim ta ndjejmë rënien e vlerave termike ku termometri të zbres në 36 apo 37 dhe më pas në pjesën e dytë të gushtit normalisht presim një tjetër tablo termike”.

Sipas Porjas, stina aktuale është karakterizuar nga një nxehtësi shumë e lartë dhe vlerat maksimale në vend kanë regjistruar shifra të frikshme. “Po ta shohësh grafikun, që nga fillimi i qershorit deri në fund janë temperatura 35°C dhe mbi 35°C”.

Analiza e meteorologes sugjeron se, nisur nga shkalla e lartë e temperaturave, ekziston mundësia që kjo verë të shënojë rekorde të reja në historikun e matjeve meteorologjike.

“Në historinë matjeve, është vera 2023, vera e cila theu rekorde në të gjitha kontinentet. Sigurisht që pati temperatura ekstremisht të larta në të gjithë Europën dhe në Shqipëri. Nuk mund ta themi që 2026 do të jetë vera më e nxehtë. Do presim të mbarojë vera. Pra deri më 31 gusht. Por një gjë ju siguroj, që ky vit ka sinjale që të jetë viti më i nxehtë në historinë e matjeve”, tha Porja.

Lajmet e fundit