Një valë e re e motit të keq pritet të godasë Shqipërinë në ditët e para të tetorit me rënie të ndjeshme temperaturës, reshje intensive shiu dhe stuhi.
Lajmin e bën të ditur meteorologu i njohur grek dhe njëkohësisht eurodeputeti i Pasok-ut, Sakis Arnaoutoglou, i cili shpesh paralajmëron për fenomenet e rrezikshme kohore që prekin vendin tonë.
Sipas tij e enjtja, 2 tetor, do të sjellë reshje të dendura shiu dhe dëbore në shumë zona të Shqipërisë, raporton Top Channel.
Konkretisht në veriun e vendit, nga Shkodra deri në Kukës dhe Peshkopi, priten reshje shumë të forta shiu,
ndërsa mbi 900–1000 metra lartësi do të ketë reshje të dendura bore me shtresim të konsiderueshëm. Në zonat qendrore, si Dibra, Burreli dhe Elbasani,
reshjet do të jenë po ashtu të bollshme, ndërsa në malet Korab dhe Shebenik dëbora do të nisë mbi 1000 metra, me intensitet në lartësi më të mëdha -thekson meteorologu grek.
Po ashtu në juglindje, në Gramsh, në Korçë dhe rreth maleve Moravë dhe Gramoz, parashikohen reshje të dendura shiu dhe dëborë mbi 1200 metra. Ndërsa në jug, në Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet, do të ketë kryesisht reshje shiu, ndërsa nuk përjashtohen reshje bore në zonat mbi 1200–1300 metra.
Ndryshe paraqitet situata në bregdetin perëndimor, nga Tirana e Durrësi deri në Vlorë, ku reshjet do të jenë të pakta dhe të dobëta, madje në disa zona mund të mungojnë fare.
Moti i keq do të shkaktojë probleme në lëvizjen e automjeteve në disa akse malore. Zinxhirët do të jenë të nevojshëm në rrugën Shkodër–Kukës, në segmentin malor Burrel–Peshkopi mbi 900–1000 metra, në rrugën Elbasan–Librazhd drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut mbi 1000 metra, si dhe në disa kalime malore drejt Korçës dhe rreth Gjirokastrës e Përmetit mbi 1300–1400 metra.
Erërat do të fryjnë të enjten në mbrëmje përgjatë vijës bregdetare nga Vlora deri në Shkodër, me shpejtësi 60–80 km/h, që korrespondojnë me forcën 8 të shkallës Beaufort, ndërsa në brendësi të vendit era nuk pritet të kalojë forcën 5–6 Beaufort./ Top Channel