Ngjarja e rëndë që tronditi Pogradecin këtë të hënë, ku 31-vjeçari Ilirjan Selmani dyshohet se vrau 52-vjeçaren Kozeta Teço dhe më pas dogji banesën për të fshirë provat, ka ngjallur reagime edhe nga familja e tij.
Gjatë marrjes në pyetje, Ilirjan pranoi disa episode, por mohoi të ketë kryer vrasjen. Nëna e tij, Sanie Selmani, ka dalë në mbrojtje të djalit, duke thënë se ai nuk ka kryer krimin dhe se e donte viktimën, edhe pse familja nuk ishte dakord me marrëdhënien mes tyre.
“Djali im nuk mund të vriste askënd. Dje u kthye nga Korça dhe shkoi te dera e viktimës për të marrë mbeturinat, siç bënte gjithmonë, sepse ajo nuk lëvizte, dhe i hodhi në kazan. Nuk e ka bërë ai këtë vrasje, nuk ka prova. Ne nuk ishim dakord për marrëdhënien e tyre, por ai e pranoi ashtu si ishte viktima, dhe nuk i kërkuam të ndahej,” tha ajo.
Nëna shtoi se Ilirjani njihet si njeri pa probleme: “Të gjithë e njohin djalin tim, mund të pyesni. Ai nuk krijonte probleme. Kam lexuar shumë gënjeshtra në media për të. Dje erdhën shumë policë dhe desh e mbytën kur e morën. Ai ka sëmundje të zemrës. Policia duhet të nxjerrë të vërtetën, nuk është ai djali që përshkruhet në media.”
Deklarata e nënës shton tensionin rreth hetimeve dhe kërkesën për një proces të drejtë ndaj të riut të akuzuar.