Ndryshim kursi i motit: Shqipëria përballet me reshje dhe rënie temperaturash në fundjavë
Duke filluar nga dita e sotme, territori shqiptar do të përjetojë një ndryshim atmosferik, me ardhjen e masave më të ftohta dhe të lagështa.
Sipas të dhënave nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, vranësirat do të jenë prezente kohë pas kohe në pjesën qendrore dhe atë jugore të vendit, duke përfshirë edhe zonat e larta përreth kryeqytetit, aty ku situata me vatrat e zjarrit mbetet ende problematike.
“Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët, kryesisht në relievet kodrinore dhe malore në Gjirokastër, Berat dhe Korçë. Në Korçë, reshjet do të jenë edhe në formën e shtrëngatave”, tha sinoptikani Elvi Jahaj.
Reshjet me intensitet të dobët do të prekin periodikisht Tiranën dhe Elbasanin, ndërsa karakteri i freskët dhe i lagësht i këtyre masave ajrore do të vazhdojë të mbizotërojë përgjatë gjithë fundjavës.
Paqëndrueshmëria atmosferike do të mbetet e pranishme edhe në ditët në vazhdim, ndërsa parashikohet që të martën reshjet të shtrihen në të gjithë territorin, duke na shkëputur përfundimisht nga vapa ekstreme dhe duke rikthyer parametrat klimatikë tipikë për muajin gusht.
“Të martën pasdite, reshjet e shiut do të përfshijnë të gjithë territorin. Herë pas here, do të jenë në formën e shtrëngatave. Nga vlerat 40-41 gradë Celsius, në mesditë temperaturat do të jenë 35-36 gradë Celsius. Do të kemi rënie temperaturash edhe në vlerat minimale”.
Gjithashtu, pritet që intensiteti i erës, e cila ka ndikuar negativisht në përhapjen e vatrave të zjarrit, të zbutet ndjeshëm në ditët në vijim, duke mos kaluar pragun e 10-12 metrave për sekondë./Top Channel
