‘Na iku’, vjen dëshmia rrënqethëse e motrës së 37 vjecares shtatëzënë që humbi jetën në ambulancë!
Marjana Karolina Bunaj, 37-vjeçarja e cila ndërroi jetë gjatë transferimit nga spitali i Pogradecit për në Tiranë, po priste të sillte në jetë fëmijën e saj të parë.
37-vjeçarja ishte me origjinë nga Mirdita, por jetonte në Pogradec, ku ishte vendosur pas martesës dhe ndodhej në muajin e shtatë të shtatzënisë.
Bashkëshorti i saj ishte nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm pak ditë më parë, aty ku jeton edhe familja e tij, dhe e ndjera po bëhej gati që t’i bashkohej familjes së saj në SHBA.
Ndërsa përgatitej për këtë udhëtim të parë drejt Amerikës, gjatë natës së së dielës, ajo përjetoi dhimbje të forta në zonën e barkut.
Përballë kësaj situate, ajo kontaktoi motrën e saj që banonte afër, e cila mbërriti me shpejtësi dhe e dërgoi në spital me makinë.
Mjekët në maternitet dyshuan për një hemorragji të mundshme dhe pasi e shtruan në katin e sipërm, vendosën që ajo duhej të transportohej për në Tiranë.
Për shkak të errësirës, opsioni i përdorimit të helikopterit për transportin e saj u vlerësua si i pamundur.
Sipas të dhënave fillestare, 37-vjeçarja mbërriti në spital në gjendje shumë të rëndë, me parametra jetësorë të dobët dhe e vështirë për t’u transportuar, megjithatë u ndoq procedura e reanimimit.
Ambulanca u nis drejt Tiranës rreth orës 04:30. Kur automjeti po hynte në qytetin e Elbasanit, gjendja e saj u rëndua deri në ndalimin e shenjave jetësore, moment kur infermierja i kërkoi shoferit të ndalonte urgjentisht duke thirrur “Fute te spitali i Elbasanit se na iku.”.
Motra e viktimës, e cila e shoqëronte atë në ambulancë, ka dëshmuar se kur mbërritën në spital, 37-vjeçarja nuk kishte më shenja jete.
Trupi i saj u dërgua për ekzaminim mjeko-ligjor në morgun e Tiranës, ndërsa motra e saj është paraqitur në Komisariatin nr. 4 për të kryer kallëzimin përkatës.
