“Na iku”, momenti i rëndë kur 37-vjeçarja shtatzënë humbi jetën në ambulancë

ShowBizi

Marjana Karolina Bunaj, 37-vjeçarja që fatkeqësisht ndërroi jetë gjatë transportit nga Pogradeci drejt kryeqytetit, ishte në pritje të fëmijës së saj të parë. Ajo kishte prejardhje nga Mirdita, por jetonte në Pogradec pasi ishte martuar atje dhe ndodhej në tremujorin e tretë të barrës.

Bashkëshorti i saj ishte nisur pak ditë më parë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku gjendet familja e tij, dhe e ndjera po bëhej gati që ta bashkonte atje.

Ishte planifikuar të ishte udhëtimi i saj i parë përtej oqeanit, mirëpo mesnatën e së dielës ajo u përball me shqetësime të forta abdominale.

Pasi kontaktoi motrën e saj që jetonte afër, kjo e fundit e transportoi me mjetin e saj privat drejt institucionit spitalor.

Mjekët e spitalit të Pogradecit dyshuan për një hemorragji të mundshme dhe, pasi e shtruan në maternitet, vlerësuan se emergjenca kërkonte transferim urgjent drejt Tiranës.

U vlerësua mundësia e përdorimit të helikopterit, por shkak i errësirës së natës, ky opsion nuk u realizua dot.

Bazuar në të dhënat paraprake, pacientja mbërriti me shenja vitale tejet të dobëta dhe në gjendje që nuk lejonte transportin, ndërkohë që u ndërmorën procedurat e reanimimit.

Rreth orës 04:30 të mëngjesit, ajo u nis për në Tiranë me autoambulancë.

Gjatë mbërritjes në hyrje të qytetit të Elbasanit, gjendja e saj u përkeqësua deri në ndalim të reagimit, çka shtyu infermieren t’i drejtohej shoferit me fjalët “Fute te spitali i Elbasanit se na iku.”. Motra e Marjanës, e cila e shoqëronte në ambulancë, ka deklaruar se 37-vjeçarja nuk ishte më gjallë në momentin kur automjeti mbërriti në spitalin e Elbasanit.

Më tej, trupi i pajetë u dërgua për ekzaminim mjeko-ligjor në morgun e Tiranës, ndërsa motra e viktimës ka ndërmarrë hapat ligjorë duke bërë kallëzim në komisariatin nr.

4.

Lajmet e fundit