Llogari të rreme në emër të Arsim Kuçit, familja distancohet nga postimi për ha*marrje
Vala e komenteve në rrjetet sociale ka pësuar një kthesë të papritur lidhur me përplasjen mes Edi Kuçit dhe Joz Markut.
Raportimet se babai i Edit, Arsim Kuçi, paska kërcënuar me hakmarrje pas shfaqjes së pamjeve të konfliktit, kanë pushtuar mediat online dhe TikTok-un. Ky zë lindi nga një profil që pretendonte se i përkiste Arsim Kuçit, i cili shpërndau një imazh me mesazhin “Hakmarrja nuk ka datë skadence”.
Kjo përmbajtje u lexua shpejt nga publiku si një qëndrim zyrtar i babait të djalit të përfshirë në sherr. Megjithatë, informacioni i siguruar nga Prive By LS hedh poshtë çdo dyshim të tillë.
Burime pranë familjes Kuçi kanë bërë të ditur për Prive By LS se Arsim Kuçi nuk është autor i këtij postimi dhe nuk ka lëshuar asnjë paralajmërim për hakmarrje kundrejt Joz Markut apo palëve të tjera të përfshira.
Sipas burimeve, në rrjete sociale janë krijuar llogari mashtruese në emër të tij, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me të apo me të afërmit e tij.
Rrjedhimisht, çdo publikim që po qarkullon aktualisht nën emrin e tij është tërësisht i pavërtetë dhe nuk pasqyron mendimin e Arsim Kuçit.
Ky sqarim vjen në një kohë kur përplasja mes dy personazheve ka marrë rrugë zyrtare.
Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur procedimin penal ndaj Joz Markut për veprën “Lëndim i lehtë trupor”, duke vendosur gjithashtu që ai të përfshihet në “stop-listë”.
Vlen të nënvizohet se ky veprim ligjor është ndërmarrë nga prokuroria me iniciativën e saj dhe nuk është rezultat i një kërkese nga Edi apo familja e tij.
Në mes të gjithë këtij konfuzioni dhe versioneve të ndryshme që po qarkullojnë pas publikimit të videove të sherrit, burimet tona konfirmojnë se familja Kuçi nuk mbështet aspak deklaratat e hakmarrjes që i janë veshur gabimisht Arsim Kuçit. /Prive By Liberta Spahiu
