Lëvizje të bujshme në dy shtëpitë e Big Brother: Një ish-banor i Kosovës merr ftesë për në Tiranë

TvShow

Ndërsa po finalizohen procedurat për nisjen e edicioneve të ardhshme të “Big Brother VIP Kosova” dhe “Big Brother VIP Albania”, kanë filluar të shfaqen zërat e parë mbi kandidatët potencialë që pritet t’i bashkohen garës në këto dy formate.

Gjatë një bisede në programin “Ora7” të Klan Kosovës, analistët Agon Rexhepi dhe Elton Tozaj shpalosën informacione të reja, pa bërë të ditur emrat e përfolur.

Rexhepi vuri në dukje se në ditët e fundit ka pikasur disa fytyra të njohura pranë ambienteve të televizionit, duke lënë të kuptohet se këto prani nuk kanë qenë të rastësishme.

“Unë i di disa detaje të reja. Disa njerëz që i kam parë afër në hapësirat tona, nuk mendoj që vizitat e tyre kanë qenë të rastësishme”, u shpreh gazetari.

Një tjetër element që tërhoqi vëmendje ishte raportimi për një dyshe shumë të ndjekur në rrjetin social TikTok. Rexhepi pretendon se bëhet fjalë për dy shqiptarë të diasporës me ndikim të madh në rrjet, të cilët janë parë në ambientet e Klan Kosovës për disa ditë me radhë.

Përtej zhvillimeve për BBVK, Rexhepi gjithashtu ngriti mundësinë e kalimit të një ish-banoreje të “Big Brother VIP Kosova”, e cila ka qenë mjaft e komentuar në edicionet e kaluara, drejt shtëpisë së “Big Brother VIP Albania”.

Në këtë kontekst, Elton Tozaj shtoi detaje më specifike, duke bërë me dije se një ish-konkurrent shqiptar i “Big Brother VIP Kosova” është ftuar zyrtarisht për të marrë pjesë në BBVA.

“Unë mund të të konfirmoj që zyrtarisht ftesën për në Big Brother VIP Albania e ka marrë vetëm një ish-banor nga Shqipëria që ka marrë pjesë në Big Brother VIP Kosova”, deklaroi Tozaj.

Ai sqaroi se kontakti është bërë javën e shkuar dhe e ka konfirmuar lajmin përmes një bisede të drejtpërdrejtë me personin në fjalë.

Identiteti i këtij ish-banori mbetet ende i mbajtur sekret, duke lënë për t’u parë nëse do të ketë një akord final mes palëve.

Paralelisht, vijon të mbetet enigmë se kush janë dy personazhet e njohur të TikTok-ut. Pritet që me kalimin e kohës dhe afrimin e fillimit të spektakleve, thashethemet për listën e banorëve të dy shtëpive të bëhen edhe më të shpeshta.

Lajmet e fundit