Ndërron jetë në moshën 71-vjeçare, këngëtari i njohur boshnjak, Halid Beslic.
Ai kishte probleme serioze me mëlçinë dhe kaloi javët e fundit në Qendrën Klinike të Universitetit të Sarajevës, ku fillimisht u trajtua në Departamentin e Nefrologjisë dhe më pas në atë të Onkologjisë.
Pavarësisht se menaxheri i tij kishte deklaruar në shtator se gjendja po përmirësohej, këngëtari nuk arriti të rikuperohej.
Para ndarjes nga jeta, Halidi botoi një poemë kushtuar gruas së tij, Sejda, të cilën e konsideronte mbështetjen e tij më të madhe.
I lindur më 20 nëntor 1953 në fshatin Vrapci, ai u rrit në kushte modeste, por dashuria për muzikën e çoi drejt një karriere të jashtëzakonshme.
LEXO Dita nis me mot të mirë, por pasdite priten reshje shiu në…
Pas shërbimit ushtarak u zhvendos në Sarajevë, ku nisi të performonte dhe më vonë u bë një nga emrat më të njohur të skenës muzikore jugosllave.
Me këngë si “Necu, necu dijamante”, “Budi budi uvijek srecna” dhe “Miljacka”, Beslic u bë simbol i muzikës popullore të rajonit. Gjatë luftës në Bosnjë, ai mbajti mbi 500 koncerte bamirësie për viktimat e luftës. Në vitin 2009 pësoi një aksident të rëndë rrugor ku humbi njërin sy, por u rikthye shpejt në skenë me forcë dhe përkushtim.