Humbën jetën nënë e bir me origjinë shqiptare, eksperti: Makina lëvizte mbi 70 km/h, i riu u fut në…

TvShow

Banorët e zonës së Serresit mbeten të tronditur nga humbja e jetës së një 43-vjeçareje dhe djalit të saj 21-vjeçar, të cilët ishin me prejardhje shqiptare, pas përplasjes së rëndë në rrugën provinciale që lidh Amfipolin me Dramën.

Autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa një ekspert grek në fushën e trafikut ndau pikëpamjet e tij për televizionin ERT lidhur me mënyrën si ndodhi përplasja. Ai sugjeron se shpejtësia e mjetit tejkalonte 70 km/h, por vlerëson se ky nuk duhet të ketë qenë i vetmi element përcaktues për tragjedinë.

Sipas analizës së ekspertit, drejtuesi 24-vjeçar po udhëtonte me një ritëm që tejkalonte limitet e lejuara për atë segment rrugor, megjithatë, një tjetër shkak mund të ketë qenë ai që shkaktoi humbjen e kontrollit mbi automjet.

Duke vëzhguar momentin kur mjeti la korsinë e tij për të hyrë në drejtim të kundërt, pak përpara goditjes nga kamioni, eksperti Panagiotis Stamiris u shpreh: “Automjeti devijon në një distancë të konsiderueshme nga pika e aksidentit dhe mënyra se si ndodh devijimi tregon se nuk është vetëm shpejtësia ajo që e ka shkaktuar. Mund të ketë pasur një shpërqendrim të vëmendjes, ndoshta ka folur në telefon ose diçka tjetër”.

Sipas ekspertit, ecja me shpejtësi të madhe e vështirëson manovrimin për kthimin në normalitet të mjetit, sidomos gjatë lëvizjes në kthesa.

“Sapo automjeti fillon të largohet nga korsia e tij dhe kalon në korsinë tjetër, nuk shohim asnjë përpjekje për ta rikthyer menjëherë. Kjo përpjekje bëhet vetëm pasi makina ka qëndruar për një kohë në korsinë e kundërt”, u shpreh ai.

“Për këtë arsye mendoj se mund të ketë pasur një shpërqendrim të vëmendjes ose mungesë eksperience nga ana e drejtuesit, i cili nuk e vlerësoi siç duhet situatën dhe nuk reagoi në kohë”, shtoi Stamiris.

Në vlerësimin e tij, shpejtësia e mjetit ishte padyshim mbi limitet e lejuara të rrugës.

“Sigurisht që shpejtësia ishte e rritur. Besoj se ishte mbi limitin. Kur flasim për shpejtësinë kritike në një kthesë, nënkuptojmë se çdo automjet ka një kufi të caktuar. Nëse ky kufi tejkalohet në një kthesë, automjeti del nga trajektorja”, tha ai.

Duke u mbështetur te pamjet e regjistruara dhe deklarata e një drejtuesi tjetër, i cili konfirmoi se udhëtonte me 70-80 km/h dhe ishte më i ngadaltë se mjeti i viktimave, Stamiris vlerësoi se makina ku udhëtonin të ndjerët po ecte me shpejtësi mbi 70-80 km/h.

Megjithatë, ajo që ngre pikëpyetje për ekspertin është mungesa e reagimit në kohë nga ana e shoferit.

“Në momentin kur automjeti largohet drejt korsisë së kundërt, edhe para se të hyjë plotësisht në të, një drejtues që do të kishte vëmendjen e përqendruar do të mund të fillonte ta rikthente makinën. Por ne shohim se ai futet në korsinë tjetër, lëviz për disa metra aty dhe vetëm më pas fillon ta korrigjojë drejtimin”, tha ai.

Sipas ekspertit, kjo mund të nënkuptojë dy mundësi: “Ose drejtuesi e kuptoi me vonesë atë që kishte ndodhur, ose për shkak të mungesës së eksperiencës nuk ishte në gjendje ta vlerësonte siç duhet situatën”.

Lajmet e fundit