Një ditë pas zjarrit shkatërrimtar që përfshiu tregun e rrobave të përdorura në zonën e “5 Majit”, pamjet që vijnë janë tronditëse.

Aty ku një ditë më parë, në këtë orar, kishte stenda dhe tregtarët nisnin aktivitetin e tyre, sot kanë mbetur vetëm struktura të shkrumbuara, hi dhe mbetje metali. Gjithçka është djegur plotësisht, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale për tregtarët e zonës.

Situata mbetet ende problematike, pasi këtë të premte janë riaktivizuar sërish disa vatra zjarri, duke detyruar ndërhyrjen e menjëhershme të forcave zjarrfikëse. Mjetet dhe efektivët ndodhen në terren dhe po punojnë për shuarjen përfundimtare të flakëve, me qëllim shmangien e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.

https://streamable.com/hatssw

Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale vlerësohen të konsiderueshme. Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, megjithatë shkaqet e sakta pritet të përcaktohen pas përfundimit të hetimeve.

Zjarri i madh ra mbrëmjen e së enjtes në tregun e rrobave të përdorura pranë ish-uzinës “Dinamo” dhe u vu nën kontroll pas disa orësh falë ndërhyrjes së koordinuar të shërbimeve zjarrfikëse dhe Forcave të Armatosura.

https://streamable.com/logs0e

Në operacion u angazhuan 15 mjete dhe rreth 70 efektivë nga shërbimet zjarrfikëse të Tiranës, Kamzës, Vorës dhe Elbasanit, si dhe mjete të Forcave të Armatosura dhe 8 autobote të Ujësjellës-Kanalizimeve.

Në vendin e ngjarjes, mbrëmjen e djeshme, mbërritën edhe përfaqësues të lartë të institucioneve, përfshirë prefektin e Tiranës, kryebashkiaken e komanduar Anuela Ristani, si dhe ministren e Brendshme, Albana Koçiu, të cilët ndoqën nga afër situatën dhe koordinimin e operacionit për menaxhimin e emergjencës.