Fundjava sjell shi dhe ulje temperaturash: Si do të jetë moti këtë javë?

Te Fundit

Në një komunikim të drejtpërdrejtë për gazetaren Esmeralda Mulaj, meteorologia e Meteoalb, Lajda Porja, ka shpalosur parashikimin për ditët në vijim, duke theksuar se pjesa e parë e javës do të karakterizohet nga mot i nxehtë, ndërsa fundjava pritet të sjellë reshje shiu.

Sipas meteorologes, pavarësisht një freskie të lehtë në orët e para të ditës, vendi ynë do të vijojë të ndiejë ndikimin e verës. Për ditën e sotme, termometri parashikohet të ngjitet deri në 35°C në Berat, ndërsa ultësira perëndimore pritet të regjistrojë vlerat 33-34°C. Kulmi i temperaturave do të arrihet të mërkurën dhe të enjten, kur në Elbasan dhe Berat pritet të shënohen 36°C.

Ndërkohë, në zonat e ulëta termometri do të shënojë 34-35°C, ndërsa në bregdet vlerat do të sillen mes 32-33°C. Ndryshimi i kushteve atmosferike është parashikuar për në fundjavë, ku temperaturat do të pësojnë një rënie prej 3-4 gradësh dhe do të shfaqen rrebeshe shiu, veçanërisht në pjesën lindore dhe juglindore.

“E mërkura, e enjtja dhe e premtja do të kenë rrebeshe shiu në të gjithë zonën lindore dhe do jetë kryesisht juglindja, të jetë qarku i Korçës ku do të ketë rrebeshe.

Dhe Gjirokastra gjithashtu ku do të jenë më të dukshme, por presim që edhe zonat e verilindjes, Pogradeci, po ashtu dhe Peshkopia, Kukësi, Bulqiza do të kenë rrebeshe të izoluara gjatë pasditeve”, tha Porja. Ndërsa në pjesën tjetër të vendit, moti do të mbetet kryesisht i qëndrueshëm, me kthjellime gjatë paradites dhe vranësira kalimtare pasdite, pa reshje të konsiderueshme.

Gjatë fundjavës, meteorologia parashikon rrebeshe të shkurtra në pjesën më të madhe të territorit, të cilat do të shoqërohen me erëra të forta dhe det me dallgë.

Kjo valë reshjesh pritet të nisë nga veriu dhe veriperëndimi, për t’u shtrirë më pas në jug dhe juglindje.

Porja sqaroi se ky freskim nuk tregon mbërritjen e vjeshtës, pasi vlerat e larta termike do të rikthehen.

“Është një situatë kalimtare sepse edhe pse fillimi i javës mbetet në këto ujëra, ne presim sërish temperaturat të cilat do të jenë 32-33° pothuajse gjithë shtatorit. Është parashikuar që muaji shtator do të regjistrojë temperatura më të larta. Pra nuk është se futemi zyrtarisht që këtë fundjavë në vjeshtë dhe më pas na presin ditë të freskëta, por do kemi sërish temperatura të cilat të paktën deri në fund të muajit do të jenë mbi 32 gradë”, u shpreh meteorologia.

Sa i përket rajonit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të përballen me vapa të forta deri të premten, ku në Kosovë pritet të arrihet në 33-35°C, ndërsa në Maqedoninë e Veriut temperaturat do të jenë gjithashtu mjaft të larta.

Reshjet e shiut do të nisin të enjten dhe të premten, ndërsa fundjava do të karakterizohet nga shira në shumicën e territorit, kryesisht gjatë pasditeve.

Meteorologia paralajmëroi gjithashtu se në disa zona të Ballkanit mund të ketë mini-stuhi, erëra të forta dhe breshër, ndërsa javës tjetër situata pritet të vijë drejt përmirësimit.

Lajmet e fundit