Regjisori i programit “Ferma VIP 3”, Eduart Grishaj, ka sqaruar përmes një komunikimi publik qëndrimin e tij në lidhje me ngjarjen e fundit që përfshiu banoren Fabjola Elezaj dhe moderatoren Arbana Osmani.
Ai ka reaguar pas diskutimeve dhe komenteve të shumta në rrjetet sociale, të cilat kanë ngritur pikëpyetje mbi situatën e krijuar gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë.
Përmes një deklarate të shpërndarë në platformat digjitale, Grishaj ka mohuar kategorikisht aludimet për ndonjë lidhje familjare apo favorizim ndaj pjesëmarrëses,
duke theksuar se përzgjedhja e saj në garë është bërë mbi bazën e kritereve profesionale dhe procesit standard të audicioneve.
Ai shtoi gjithashtu se reagimi i konkurrentes gjatë emisionit ka qenë pasojë e presionit emocional dhe situatës së tensionuar në ambientin e fermës. Në të njëjtën kohë,
Grishaj vlerësoi mënyrën profesionale dhe të balancuar të moderatores Arbana Osmani në menaxhimin e momentit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së etikës dhe qetësisë në situata të tilla televizive.
Lidhur me këtë çështje, ai u shpreh:
“Asnjë kushëri apo kushërirë e imja nuk ka qenë, as nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e ndonjë reality show ku unë jam i përfshirë si pjesë e produksionit. Fabiolën e kam propozuar unë për Ferma VIP 3, sepse kam vlerësuar energjinë dhe potencialin e saj si vajzë e re që vjen nga Malësia e Madhe. Nuk jam penduar për këtë zgjedhje, unë do të vazhdoj të mbështes të rinj nga Veriu dhe nga çdo krahinë tjetër e Shqipërisë sa herë të kem mundësi, siç e kam bërë më parë në Big Brother dhe tani te Ferma dhe në projektet e mia personale si filmat apo programet e tjera. E duke u rikthyer te rasti i Fabiolës, njerëzit mund të gabojnë, sidomos nën presion emocional dhe në transmetim live. Nga një moment apo një gabim nuk mund të gjykohet e gjithë jeta e një vajze 23 vjeçare, familja apo vendi nga ajo vjen.
Përsa i përket reagimit të prezantueses në studio, Arbana ajo është, njerëzore me çdo njeri në çdo situatë dhe mendoj që ai reagim ka ndryshuar qasjen e prezantimit dhe të gazetarisë në vendin tonë dhe kjo duhet t’u shërbejë si shkollë edhe brezave të rinj që duan ta vazhdojnë këtë zanat.
Faleminderit të gjithëve që na ndiqni dhe na mbështesni. Ne do vazhdojmë të japim maksimumin tonë, me të mirat dhe gabimet tona.”
