I riu i akuzuar për vrasjen e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila në Itali ka pranuar përgjegjësinë për ngjarjen gjatë procesit të apelit.
17-vjeçari, i cili në kohën e krimit ishte 15 vjeç dhe ishte dënuar me 17 vite burg nga Gjykata për të Miturit, ka ndryshuar qëndrim gjatë seancës së apelit, duke deklaruar se ishte ai që e vrau vajzën duke e hedhur nga ballkoni i banesës në Piacenza më 25 tetor 2024.
Përmes një deklarate spontane nga burgu i të miturve në Catanzaro, i riu ka kërkuar falje për veprimin dhe për faktin që kishte vonuar pranimin e përgjegjësisë.
“Me rrëfimin e tij mbyllet një rreth. Shpresojmë që Gjykata të konfirmojë vendimin e shkallës së parë, që ka përcaktuar një dënim të drejtë”, deklaroi avokati Emilio Malaspina, i cili përfaqëson nënën e viktimës, Morena Corbellini.
Seanca e radhës është shtyrë për më 10 shtator, kur pas diskutimeve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe mbrojtjes pritet të merret vendimi përfundimtar. Gjykata ka kërkuar gjithashtu një raport mbi sjelljen e të riut gjatë vuajtjes së dënimit.
Sipas hetimeve, 15-vjeçari e kishte shtyrë Aurorën nga ballkoni dhe, pasi ajo ishte kapur në përpjekje për të shpëtuar, ai e kishte detyruar të binte.
Provat e mbledhura nga autoritetet, të cilat në vendimin e shkallës së parë u cilësuan si të pakundërshtueshme, përfshinin dëshmi të personave që kishin parë skenën dhe kishin dëgjuar britmat e 13-vjeçares.
Hetimi zbuloi gjithashtu se Aurora kishte tentuar të ndërpriste marrëdhënien me të riun në javët para vdekjes së saj, ndërsa ai dyshohet se kishte vazhduar ta ndiqte dhe ta shqetësonte.
Sipas akuzës, në komunikimet mes tyre kishte pasur edhe mesazhe kërcënuese, ndërsa vajza kishte kërkuar këshilla për situatën e saj edhe përmes ChatGPT, duke pyetur nëse duhej ta linte marrëdhënien.
Këto komunikime, së bashku me dëshmitë e familjarëve, shoqeve dhe personave të tjerë, u konsideruan nga gjykata si elemente që mbështesnin akuzën për përndjekje.
Pranimi i përgjegjësisë nga 17-vjeçari vjen disa muaj pas nisjes së procesit gjyqësor dhe pas dënimit të parë me 17 vite burg.