Të tjera detaje zbardhen nga ngjarja tragjike që tronditi Volosin në Greqi, ku Pandeli Nakoleci, masakroi me mjet prerës bashkëshorten e tij,
Marjola, me të cilin kishin 4 fëmijë. Nakoleci 40 vjeç, u arrestua mëngjesin e sotëm, shumë pranë banesës, atje ku pak ditë më parë kreun krimin makabër,
në sy të fëmijëve të mitur. Ndërkohë që pista kryesore e krimit dyshohet se është xhelozia, mediat greke shkruajnë mbi një sekret që çifti kishte,
dhe që siç duket iu kujtua autorit nga bashkëjetuesja. Volosi mbetet i tronditur pas krimit të shëmtuar të kryer nga një burrë 40-vjeçar, i cili vrau me gjakftohtësi
gruan e tij 36-vjeçare dhe nënën e katër fëmijëve të tyre. Mëngjesin e djeshëm, autori i krimit u dërgua në prokurori nën masa drakoniane sigurie
, i veshur me një jelek antiplumb dhe me kokën ulur. Thuhet se i ka thënë vajzës së tij, e cila e vizitoi: “u zemërova dhe e vrava, nuk kisha ndërmend ta bëja”. Dhe më pas e ka pyetur: “a e di nëse nëna jote më tradhtonte?”
“Ai e përdhunonte vazhdimisht që ajo të mos divorcohej”
Motra e gruas 36-vjeçare që u vra, deklaroi në një dëshmi tronditëse se “motra ime u dashurua me këtë kopil që në moshë të vogël. Kur ai pati fëmijë, ndryshoi. U bë abuziv. E rrihte, e përdhunonte që ajo të mos divorcohej prej tij. Shkonte dhe bënte aborte gjatë gjithë kohës. I thoshte ‘nëse më divorcon, do të bëj më keq’”. “Për shumë vite nuk folëm (me autoritetet) dhe është faji ynë. Sepse i thoja motrës sime të divorcohej, por ajo kishte frikë. Bëra gjithçka që munda për ta ndihmuar, me para, por ajo nuk mundi të përballonte katër fëmijë”, rrëfen e motra e viktimës. “Ai u thoshte fëmijëve: ‘Mos ndërhyni , mbyllni gojën’ dhe e godiste para tyre”, shtoi ajo.
40-vjeçari është “i penduar dhe i shkatërruar”
Avokati i 40-vjeçarit, Vasilis Noulezas , theksoi se klienti i tij “është padyshim i penduar dhe i shkatërruar, sepse vrau me duart e veta gruan që e donte dhe me të cilën krijoi një familje dhe solli në jetë katër fëmijë”. Lidhur me deklaratën e parë në polici se “unë e turbullova, e vrava dhe nuk pendohem për asgjë ” , avokati foli për “sjellje të mundshme provokuese nga 36-vjeçarja ndaj partnerit të saj”. Avokati thotë se klienti i tij “humbi qetësinë dhe kreu këtë krim të shëmtuar”. “Lidhur me të kaluarën psikiatrike, ai ishte shtruar në spital në të kaluarën. Me shumë mundësi ishte një shtrim i pavullnetshëm, me kërkesë të gruas së tij. Tragjedia është se një e re humbi jetën. Ai duhet të kishte treguar qetësi, të kishte hapur një faqe të re në jetën e tij, pa përdorur dhunë”, tha avokati.
Sekreti i çiftit
Autori i krimit ishte xheloz për çdo lëvizje të gruas së tij. Çifti kishte një sekret , të cilin e mbajtën të fshehur mirë për disa muaj, në lidhje me marrëdhënien e tyre, siç raportoi STAR. Megjithatë, më e rëndësishmja, pak para vrasjes, viktima dyshohet se e përmendi konkretisht këtë sekret. Kjo duket se e ka zemëruar 40-vjeçarin dhe ka çuar në vrasjen e tij.