Fqinjët e njërit prej dy të miturve që humbën jetën ditën e sotme në aksidentin tragjik në lagjen nr. 15 të qytetit të Durrësit kanë reaguar të tronditur për përplasjen fatale që u mori jetën dy fëmijëve.
Ata thanë se kur kanë mbërritur në vendngjarje, kanë gjetur njërin nga djemtë poshtë makinës.
“Nuk ishim këtu në ato momente, për 5 minuta kemi ardhur. Djali ishte poshtë makinës. Të ulëriturat e njerëzve, skandal! Akoma më dridhet zemra. Si kjo e diel nuk ka pasur ndonjëherë këtu”, tha fqinja për Euronews Albania.
Po ashtu, ajo ka deklaruar se prindërit e të miturit ndodhen jashtë vendit, pasi i ati vuan nga kanceri dhe po trajtohej në Itali.
“Do të vijë nëna, do të vijë i ati, si do ta gjejnë? Jemi të shokuar dhe jemi si robotë, s’jemi më njerëz. Babai i tij është me sëmundje të rëndë. Djali jetonte me gjyshin dhe gjyshen”, tha ajo.
Fqinja e dy të miturve i ka bërë thirrje policisë që të marrë masa, pasi sipas saj u humbën dy jetë të pafajshme.
“Këtu është katastrofë. Të humbasin dy jetë fëmijësh pa u rritur akoma… nuk kemi çfarë të themi. Kemi bërtitur me të madhe: ‘nxirrni fëmijën’. Nuk dimë si t’i ngushëllojmë prindërit”, shtoi fqinja.