Teksa në qytetin e Durrësit qytetarët me zemër të thyer prej dy ditësh vajtojnë për humbjen tragjike të dy fëmijëve, Klesit dhe Eneas, 8-vjeçari që i shpëtoi aksidentit, në padijeni për humbjen e tyre, kërkon të takohet me shokët e tij.

Me gjysmë zëri e lot në sy, babai i 8-vjeçarit Ardian Melsani tha se i biri në padijeni për humbjen tragjike të dy shokëve të tij kërkon që të takohet me ta.

“Vetëm diçka më ka thënë, kërkon shokët e vet dhe thotë erdhi makina me shpejtësi, na mori përpara!” tha babai i 8-vjeçarit në një lidhje telefonike për “Opinion”.

Me dhimbje të madhe në zemër, babai i vogëlushit tregon se i biri së shpejti pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje te spitali i Traumës. Ashtu si pjesa më e madhe e banorëve të zonës së ish-kënetës, babai të miturit deklaroi se e ka denoncuar disa herë shoferin Nikoll Radaçin që shkaktoi aksidentin tragjik.

Nga an tjetër, dhjetëra banorë u mblodhën mbrëmjen e sotme para Bashkisë së Durrësit ku dhe ndezën qirinj në kujtim të dy të miturve, Klesi Nikollit dhe Enea Muçajt, që u ndanë tragjikisht nga jeta pas aksidentit fatal të ndodhur pasditen e 3 majit.

Të pranishmit më të shumtë kanë qenë banorët e zonës së Ish-Kënetës, ku banonin dy të miturit që vdiqën duke luajtur me top pasi makina e drejtuar nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi i mori përpara dhe i përplasi për vdekje në fillimet e jetës së tyre.

Para bashkisë së qytetiti, qytetarët ndezën qirinj dhe mbajtën një minutë heshtje në shenjë respekti për dy vogëlushët.

Edhe pse nuk kanë pranuar për të folur për mediat prezente, mësohet se ditën e nesërme, të mërkurën e 6 majit, në orën 16:30, banorët do të zhvillojnë protestë.

Marshimi do të nisë nga vendi ku ndodhi ngjarja, në zonën e Ish-kënetës e do të vijojë drejt Bashkisë.