Policia e Maliqit ka bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur një ditë më parë ku 14-vjeçari Erald Xhejo u godit me thikë për vdekje nga bashkëmoshatari i tij, Enedio Guri.
Përpos të miturit, blutë e qytetit juglindor kanë arrestuar edhe shtatë persona të tjerë, mes tyre të atin e adoleshentit dhe xhaxhain e tij. Dyshohet se këta të fundit kanë fshehur thikën me të cilën i mituri qëlloi dy herë 14-vjeçarin.
Gjithashtu në pranga kanë rënë edhe 4 të miturit të cilët ishin të pranishëm gjatë konfliktin dhe një 34-vjeçar pasi ka tentuar që të largojë me automjet autorin e vrasjes së Erald Xhajos.
Autoritetet bëjnë me dije se kanë sekuestruar edhe mjetin prerës (thikë) me të cilën u krye krimi, automjeti me të cilin tentoi të largohej autori dhe shoku i tij, si dhe 5 celularë.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Maliq/Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika e vrasjes së 14-vjeçarit, kryer dje, në fshatin Pirg.
Për këtë rast, Policia e Korçës arrestoi 8 shtetas:
-14-vjeçarin autor të dyshuar të vrasjes, i cili pas kryerjes së krimit, tentoi të largohej nga vendngjarja, me automjet;
-babanë dhe xhaxhanë e autorit të dyshuar, pasi fshehën mjetin prerës (thikë), me të cilin u krye krimi;
-4 të mitur, të pranishëm gjatë konfliktit mes 14-vjeçarëve, të cilët nëpërmjet deklarimeve në Polici, tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës;
-një 34-vjeçar, gjithashtu i pranishëm gjatë konfliktit, i cili tentoi të largohet nga vendngjarja, në të njëjtin automjet me 14-vjeçarin.
Sekuestrohen mjeti prerës (thikë), automjeti me të cilin tentuan të largoheshin 2 shtetasit dhe 5 celularë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe policore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP-Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq dhe në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Pirg, ku u vra me mjet prerës (thikë), një 14-vjeçar, dyshohet nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, u vunë në pranga:
-shtetasi E. G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. 14-vjeçari u dëmtua lehtë, gjatë konfliktit. Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit, ditën e djeshme;
-shtetasit E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-shtetasi F. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.