Arrestimi i Jozefin Markut: Këngëtari u gjet i fshehur në tualetin e një banese
Autoritetet policore kanë bërë publike hollësi mbi kapjen e këngëtarit Jozefin Marku, i cili ndodhej në qendër të një hetimi për ushtrim dhune ndaj 26-vjeçarit Eduart Kuçi. Veç ndalimit të tij, uniformat blu kanë vënë në pranga një tjetër person, ndërkohë që dy individë të tjerë janë shpallur zyrtarisht në kërkim.
Sipas burimeve policore, 30-vjeçari Marku u pikas teksa po qëndronte i fshehur në pjesën e tualetit në shtëpinë e 31-vjeçarit Kristjan Nikolli. Edhe Nikolli është arrestuar, ndërsa vijon puna për vënien në pranga të 48-vjeçarit Anton Huli dhe 27-vjeçarit me iniciale K.
V. Për të zbardhur plotësisht dinamikën e kësaj ngjarjeje dhe për të zbuluar të gjithë personat e përfshirë, forcat e rendit nga Drejtoritë e Tiranës dhe Lezhës kanë ndërmarrë një aksion të përbashkët me veprime intensive hetimore.
Gjatë kontrollit në ambientet ku u gjet këngëtari, agjentët kanë sekuestruar municione luftarake. Gjithashtu, është marrë nën kontroll automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar si mjeti i përdorur në këtë ngjarje, për të cilin Kristjan Nikolli dyshohet se ndodhej në timon.
Për sa i përket pozitës penale të Jozefin Markut, mbi të rëndojnë akuzat për “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Nga ana tjetër, ndaj Nikollit është ngritur akuza për “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”.
Sipas informacioneve paraprake të hetimit, shkak për dhunimin e Eduart Kuçit është bërë dyshimi se ai kishte ofenduar një nga anëtarët e grupit.
Aktualisht, Policia është në ndjekje të Anton Hulit dhe 27-vjeçarit K. V., ndërsa vijon verifikimi për të identifikuar nëse ka persona të tjerë të implikuar.
Dosja e plotë i është dërguar Prokurorisë për trajtim të mëtejshëm.
