Rajoni i Ballkanit po përgatitet për një përkeqësim të dukshëm të kushteve atmosferike, ku stuhitë e fuqishme pritet të sjellin dukuri ekstreme gjatë ditëve të ardhshme.
Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive ka vendosur shkallën maksimale të alarmit, të njohur si Niveli 3, për disa pjesë të rajonit, duke paralajmëruar formimin e stuhive të rrezikshme që do të shtrihen nga e marta deri në orët e para të së mërkurës.
Në hartën e rrezikut, zonat më të rrezikuara përfshijnë Bosnjë-Hercegovinën, jugun e Kroacisë, Malin e Zi dhe Kosovën. Ndërkohë, Shqipëria është klasifikuar në Nivelin 1, çka nënkupton fenomene më të kontrolluara, megjithatë nuk përjashtohen mundësitë për stuhi të forta dhe reshje intensive shiu.
Ekspertët meteorologë paralajmërojnë se mund të krijohen superqeliza dhe sisteme stuhish të organizuara, të cilat mund të sjellin breshër me përmasa të mëdha, erëra shkatërruese dhe, në rrethana të rralla, edhe tornado.
Analizat tregojnë se sisteme të fuqishme stuhish që janë zhvilluar mbi Itali do të zhvendosen përmes Adriatikut për të goditur vendet e Ballkanit Perëndimor.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë ndaj njoftimeve zyrtare, pasi bashkëveprimi i erërave të forta, breshrit dhe reshjeve të dendura mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme në zonat e prekura.
Përveç Ballkanit, alarme për nivele më të ulëta janë aktivizuar edhe për disa rajone në Itali, Bullgari dhe Rumani.