Një valë e jashtëzakonshme dhe e dhunshme nxehtësie ka mbërthyer pjesë të mëdha të Evropës dhe rajonin e Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Meteorologët alarmonë se shkaktari kryesor i kësaj situate alarmante është rikthimi i anticiklonit afrikan, një masë ajrore masive dhe përvëluese që e ka origjinën nga Afrika e Veriut dhe që po sjell temperatura në limite ekstreme.
Siç raporton prestigjozja italiane Corriere, ky fenomen po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë dhe agresiv gjatë viteve të fundit si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Anticikloni lëviz nga jugu drejt veriut dhe, për shkak të rrotullimit në drejtim të akrepave të orës, transporton ajrin e nxehtë direkt mbi kontinentin evropian, duke tharë tokën dhe duke krijuar kushte mbytëse për shkak të presionit të lartë atmosferik dhe rrezatimit të fortë diellor.
Sipas ekspertëve, kjo masë e zjarrtë ajrore nis rrugëtimin nga Maroku dhe përhapet me shpejtësi drejt veriut. Trajektorja e saj prek fillimisht Spanjën, për të vijuar më pas me Italinë qendrore dhe veriore, Francën, Belgjikën dhe Holandën, përpara se të shtrihet me të gjithë forcën e saj në Mesdhe dhe në gadishullin e Ballkanit.
Interesant është fakti se ndikimi i kësaj vale nuk është i njëjtë kudo. Për shembull, Italia është ndarë aktualisht në dy pjesë: veriu po përballet me temperatura përvëluese, ndërsa jugu ka mbetur më pranë vlerave normale sezonale, gjë që shpjegohet me rrugën specifike që po ndjek trajektorja e masës ajrore.
Meteorologët dhe ekspertët e klimës lëshojnë një paralajmërim të fortë: vendet e Evropës Jugore dhe Ballkani, ku bën pjesë edhe Shqipëria, mbeten ekstremisht të ekspozuara ndaj këtyre episodeve të forta të të nxehtit, të cilat për shkak të ndryshimeve klimatike pritet të jenë edhe më të gjata dhe më të shpeshta gjatë pjesës së mbetur të verës.