Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e kësaj të marte në autostradën Fier-Vlorë, pranë fshatit Mifol.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident është përfshirë një fuoristradë dhe një automjet i vogël, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën për shkaqe ende të paqarta.
Si pasojë e përplasjes së fortë, tre persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Ndërkohë, po merren në pyetje personat që ndodheshin në automjetet e përfshira në aksident dhe që nuk kanë pësuar lëndime.