Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku mes tri automjeteve, i cili ka ndodhur sot në magjistralen Gjakovë-Prizren.

Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e Policisë Rajonale në Gjakovë, Vlera Krasniqi, e cila ka bërë të ditur se të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor.

“Sot rreth orës 10:40 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku që ka ndodhur në rrugën magjistrale Gjakovë–Prizren, në fshatin Rogovë.

Në këtë aksident janë përfshirë tri automjete dhe si pasojë e përplasjes, shtatë persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë marrë menjëherë trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka deklaruar Krasniqi.

Ajo ka bërë të ditur se njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor po zhvillon veprimet hetimore dhe operative për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Rasti mbetet nën hetim nga organet kompetente. /Lajmi.net/