Pas nëntë orësh negociata të tensionuara që përfunduan me vetëvrasjen e Refit Buzit, ish-partnerja e tij, Rozalinda Plaku, ka lënë spitalin për t’u paraqitur në Komisariat. Ajo pritet të dëshmojë për të ndriçuar rrethanat e ngjarjes tragjike të ndodhur në Vidhisht të Fierit.

Plaku do të ofrojë sqarime mbi motivet dhe rrjedhën e ngjarjeve që kulmuan me humbjen e jetës së babait të saj, plagosjen e nënës dhe rrëmbimin e saj nga 35-vjeçari.

Kujtojmë se në orët e para të ditës së sotme, autori vrau ish-vjehrrin, plagosi ish-vjehrrën dhe mbajti peng Rozalindën, deri në momentin kur e liroi atë në fshatin Kurjan dhe u mbyll brenda mjetit.

Situata në Kurjan u mbajt nën kontroll nga një snajperist i forcave speciale RENEA, i cili qëndronte në gatishmëri në kodër, ndërkohë që drejtues dhe efektivë të policisë iu afruan automjetit.

Pavarësisht përpjekjeve për të komunikuar në një distancë shumë të afërt, më pak se pesë metra, 35-vjeçari i njohur edhe me emrin Nertil Buzi këmbëngulte të mos dorëzohej.