Pas rreth 500 ditësh, Prokuroria e Posaçme ka dhënë miratimin që avokatët ndërkombëtarë të Erion Veliajt të zhvillojnë një takim me kryebashkiakun e Tiranës.

Burime bëjnë me dije se vendimi është marrë disa ditë më parë, ndonëse nuk rezulton të ketë ndryshuar asnjë nga rrethanat që më herët ishin përdorur nga SPAK për të refuzuar kërkesat e përsëritura të mbrojtjes ndërkombëtare.

Avokatët e huaj të Veliajt kishin insistuar prej kohësh për një takim me klientin e tyre, me argumentin se synonin të dokumentonin shkeljet që, sipas tyre, janë kryer gjatë procedurës hetimore ndaj kryebashkiakut të Tiranës. Qëllimi i tyre, sipas kërkesave të depozituara më parë, ishte paraqitja e çështjes pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Ende nuk është bërë e ditur se çfarë e ka shtyrë Prokurorinë e Posaçme të ndryshojë qëndrim pas më shumë se 500 ditësh dhe të japë autorizimin për zhvillimin e këtij takimi, i cili më parë ishte refuzuar në disa raste.