Fituesja e edicionit të parë të “Ferma VIP”, shkrimtarja e njohur Mimoza Ahmeti, ka qenë së fundmi e ftuar në një intervistë përballë gazetares Pranvera Borkaj.

Përveç emocioneve të triumfit dhe eksperiencës së saj unike brenda formatit, Moza ka folur shumë hapur edhe për dyshimet fillestare që produksioni kishte ndaj saj.

Ajo tregoi për herë të parë detaje nga intervista dhe biseda e bërë me dy drejtuesit e projektit, Arbana Osmanin dhe Eduart Grishajn, përpara se të merrte vendimin për t’u bërë pjesë e fermës.

Sipas shkrimtares, megjithëse dëshira e tyre ishte që ajo të vazhdonte sa më gjatë në lojë, në sytë e tyre shihej një lloj skepticizmi nëse një karakter i formuar dhe i veçantë si ajo do t’u rezistonte dot kushteve të izolimit dhe punëve të vështira të fermës.

Lidhur me këtë përballje, Moza pranoi se u ndje e lënduar nga mosbesimi i tyre, por ky koment i shërbeu si një shtysë më shumë për të treguar forcën e saj:

“Nuk më erdhi mirë. Nga një anë më erdhi mirë që ishin të sinqertë, por s’më erdhi mirë që ishin mosbesues. Unë jam edhe Bricjapi, kur e vendos një objektiv, ia bën gjithë yzmetin deri në fund.”

Me këtë deklaratë, autorja tregoi se natyra e saj këmbëngulëse dhe vendosmëria për të mos u dorëzuar përpara vështirësive ishin pikërisht armët që jo vetëm e mbajtën brenda fermës, por e çuan atë drejt fitores së madhe, duke thyer çdo parashikim dhe skepticizëm fillestar.