21-vjeçari Samir Fermaca, i cili pak ditë më parë humbi jetën në një aksident tragjik në Bergamo të Italisë, do të prehet në vendlindjen e tij, në Shkodër.
Mësohet se ceremonia mortore për 21-vjeçarin do të zhvillohet nesër, në orën 17:00, ndërsa pritjet e ngushëllimit nga familja do të mbahen përgjatë fundjavës.

Ndërkohë, ka dalë në dritë dëshmia e një kalimtari, e pabërë publike më parë, e cila mund të implikojë një shofer të dytë, që dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes pas aksidentit fatal të ndodhur të shtunën në mëngjes në rrugën unazore.
Fermaca udhëtonte me motoçikletën e kushëririt të tij 26-vjeçar. Pasi u nisën nga semafori në Campagnola, në drejtim të autostradës A4, ata u parakaluan nga një automjet tip Audi SUV, i cili, teksa po kthehej në korsinë e tij, u preu pjesërisht rrugën.
Kushëriri i viktimës reagoi ndaj shoferit dhe e parakaloi nga e djathta. Gjatë kësaj manovre, kur dy mjetet ndodheshin pranë njëri-tjetrit, 21-vjeçari goditi me shqelm pasqyrën e SUV-së, duke bërë që motoçikleta të humbiste ekuilibrin. Si pasojë, ai ra në asfalt dhe mbeti pa ndjenja, ndërsa kushëriri i tij shpëtoi pa lëndime.
Sipas rindërtimit fillestar të ngjarjes, të bazuar në dëshmitë e kushëririt dhe të drejtuesit të SUV-së, në zonën ku ndodhi aksidenti nuk ka kamera sigurie. Hetimet paraprake tregojnë se Fermaca goditi kokën në asfalt.
Megjithatë, një dëshmitar që po udhëtonte pas SUV-së dhe motoçikletës pretendon se një automjet i dytë iu afrua shumë të riut në momentin kur ai ndodhej i shtrirë në rrugë, duke ngritur dyshime se mund ta ketë goditur. Prokuroria, megjithatë, dyshon se ky automjet nuk ka ndikuar në rezultatin fatal të aksidentit.
Autopsia do të kryhet me metodën më pak invazive të mundshme, në mënyrë që të bëhet i mundur dhurimi i organeve të 21-vjeçarit.