Në zonën e ish-kënetës në Durrës, ka pllakosur zia. Familjarët e dy vogëlushëve që ndërruan jetë pasi u përplasën me makinë nga Nikoll Radaçi, kanë hapuir dyert e mortit. Teksa 8-vjeçari i cili ndodhet te “Trauma” i plagosur, fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë këtë paradite, përmes një postimi në rrejtin social “Facebook”, ka reaguar shkolla “Demokracia”, ku shkonin tre të miturit. Ndërsa janë shprehur ngushëllime për familjarët, është shtuar se kujtimi i vogëlushëve do të mbetet gjithmonë në zemrat e tyre.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të dy nxënësve të mitur, të cilët u ndanë nga jeta në mënyrë të padrejtë dhe të parakohshme. Kjo është një humbje e rëndë jo vetëm për familjet e tyre, por për gjithë komunitetin, shkollën dhe këdo që pati fatin t’i njihte.

Në këto momente të vështira, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve. Fjalët janë të pakta për të përshkruar dhimbjen, por lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë tragjedi të madhe.

Kujtimi i tyre do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat tona.

U prehshin në paqe”, shkruan shkolla.

Tre fëmijët ndodheshin pranë rrugës kur janë përplasur nga një automjet tip “Benz” me shpejtësi skëterrë, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe është drejtuar drejt tyre. Përplasja ka qenë fatale për dy prej të miturve, të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa fëmija i tretë është transportuar me urgjencë drejt spitalit dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendngjarja duke braktisur mjetin, dhe është kapur dhe identifikuar më vonë nga blutë, me emrin Nikoll Radaçi.