Moti në vendin tonë ka pësuar një ndryshim të papritur ditën e djeshme, duke i lënë pas temperaturat e larta dhe duke sjellë dimrin me reshje shiu dhe dëbore.
Pas reshjeve të shiut, në zonat malore mbi 100 metra mbi nivelin e detit kanë nisur reshjet e dëborës, të shoqëruara me rënie të ndjeshme të temperaturave, të cilat në disa zona kanë zbritur deri në -2°C.
Disa prej zonave verilindore janë zgjuar mëngjesin e djeshëm dhe të sotëm nën petkun e bardhë të dëborës. Reshjet e natës kanë krijuar një shtresë dëbore prej disa centimetrash në fshatra si Shkreta, Bruz Mali dhe Qafështama.
Edhe në Malësinë e Dibrës, në Bulqizë, Lurë, Selishtë dhe Kalaja e Dodës, dëbora ka zbardhur terrenin, me trashësi që në disa vende kalon mbi 20 centimetra.
Aktualisht, në disa fshatra të thella të njësisë administrative Zerqan, Ostren dhe Martanesh, trashësia e dëborës shkon deri në 5 centimetra. Reshje janë regjistruar gjithashtu edhe në zonat e minierave të Zonës D, Martanesh dhe Tërnonë.
Reshje bore ka patur edhe në aksin rrugor Librazhd- Fushë-Studen- Sebisht, e cila ka arritur deri në 8 cm dhe lëvizja bëhet vetëm më zinxhirë.