Një mjek është vendosur nën hetim nga policia pas kallëzimit të bërë nga një qytetare e cila pretendon se është ngacmuar gjatë një ndërhyrje mjekësore në spital.
Sipas njoftimit të Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedimin penal në ngarkim të shtetasit me iniciale A.Gj, me profesion mjek.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal në ngarkim të shtetasit A. Gj., 44 vjeç, me profesion mjek, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim një shtetase se gjatë kohës që ishte paraqitur për një ndërhyrje mjekësore në spital, nuk është trajtuar sipas rregullave të etikës profesionale”, njofton policia.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.