Aksidenti me vdekje në rrugën Fier-Lushnjë i ndodhur ditën e djeshme, i kushton prangat dy shoferëve të mjeteve që u përplasën te “Kryqëzimi i Vajkanit”.
Policia vendore bëri me dije sot se pas kryerjes së veprimeve paraprake hetimore në vendngjarje, ndaloi të dyshuarit J.M., 42 vjeç, banues në Londër dhe 30-vjeçaren L.M., nga Laçi, me të cilën udhëtonte edhe viktima pasagjere, M.K., 53 vjeçe, po nga Kurbini.
Mësohet se 30-vjeçarja për shkak të dëmtimeve është shtruar në spital, ku dhe po mjekohet, kurse arrestimi është bërë në gjendje spitalore. Nga aksidenti pati edhe dy pasagjerë të tjerë të dëmtuar, por që pas mjekimit u kthyen në banesat e tyre.
Arrestimet janë bërë nga Policia Rrugore, me veprën penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Kurse 30-vjeçarja vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Viktima raportohet se udhëtonte në një mjet tip BMW që drejtohej nga vajza e saj, kur u aksidentuan rreth orës 12:20 të së martës, me një makinë tip Citroen, me shoferin londinez.
Mjeti “BMW” pas përplasjes ka përfunduar tek barrierat e kryqëzimit të autostradës. Policia dhe zjarrfikëset shkuan në vendngjarje për të nxjerrë trupin e viktimës nga makina, pasi hekurat e barrierave anësore kishin hyrë në mjet dhe i shkaktuan vdekjen.
Njoftimi i Policisë së Fierit:
“Në vijim të informacionit për aksidentin e djeshëm, te kryqëzimi i Vajkanit, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me drejtues shtetasin J. M., 42 vjeç, banues në Londër, me automjetin me drejtuese shtetasen L. M., 30 vjeçe, banuese në Laç, humbi jetën pasagjerja në automjetin e fundit, shtetasja M. K., 53 vjeçe, banuese në Laç, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kryen arrestimin në flagrancë të 2 drejtuesve të automjeteve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. 30-vjeçarja vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën, ndërkaq 2 pasagjerët e tjerë të dëmtuar morën asistencë mjekësore dhe u larguan në banesa”.