Modelja shqiptare, Arbenita Ismajli, ka reaguar pas njoftimit se Gjykata Themelore në Gjilan ka lëshuar urdhër-arrest dhe letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj saj.
Lajmin e konfirmoi edhe Sabit Shkodra, udhëheqës i Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjilan, duke theksuar se gjykata ka vepruar sipas kompetencave ligjore dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Prokuroria Themelore në Gjilan kishte nisur hetimet ndaj Ismajlit në qershor të këtij viti, pas dyshimeve se ajo nuk kishte zbatuar një vendim gjykate për takimet e vajzës së saj me babanë biologjik, Feronit Shabani.
Sipas aktvendimit, babai kishte të drejtë ta takonte vajzën dy herë në muaj përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, por prokuroria pretendon se Ismajli ka penguar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Në një video të postuar në rrjetet sociale nga makina, ku dëgjohej një këngë e Rihannas në sfond, Arbenita ka ndarë një detaj të vogël për kontekstin e situatës në të cilën ndodhet, duke treguar një qasje të qetë ndaj lajmeve që po qarkullojnë.
“E di çdo tekst këngësh të Rihannas fjalë për fjalë”, tha ajo duke lënë të kuptohet se megjithë ngarkesën mediatike dhe ligjore, nuk po e humb qetësinë.
Ky zhvillim ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe mediave, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të evoluojë situata ligjore dhe reagimi i Arbenitës në ditët në vijim. /Telegrafi/